Wednesday, July 30, 2014
Për pritjet e gjata, fajtore pala serbe
Institucionet e Kosovës kanë shtuar kapacitetet e tyre për t’i evituar pritjet e gjata të bashkatdhetarëve në kufij, sidomos në pikëkalimin në Merdar, kurse për kolonat e gjata të krijuara në ditët para festes së Fitër Bajramit kanë fajësuar autoritetet serbe për mospunë.
Ministri në detyrë i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka deklaruar për “Epokën e re” se për ta parë gjendjen nga afër, ai ka vizituar pikatë kufitare që kanë qarkullim më të madh. Makolli ka treguar se Policia e Kosovës po bën të pamundurën për t’i përshpejtuar procedurat e kalimit të kufirit. “Ne kemi parë një përkushtim të Policisë Kufitare dhe të ngritjes së kapaciteteve njerëzore në pikat kufitare në anën e Kosovës. Pothuajse në të gjitha rastet kemi vërejtur se nuk lejohet të pritet në radhë. Në anën tjetër kryesisht pritjet dhe radhët e gjata ndodhin në pjesën e territorit të Serbisë për shkak të procedurave dhe për shkak të mospunës së tyre dhe arsyetimeve që mund të nxjerrin”, ka thënë Makolli.
Ai ka bërë me dije se ministria të cilën e drejton ka kërkuar nga Policia e Kosovës të shtohen kapacitetet kufitare në mënyrë që të mos krijohen radhë të gjata. “Ne kemi kërkuar prej Policisë së Kosovës t’i rrisë kapacitet edhe më tutje në mënyrë që mundësisht pritjet të jenë sa më të vogla ose të mos ketë pritje fare. Në pikën kufitare në Merdar pritjet janë më të gjata, në veçanti në tre-katër ditët e fundit, ku ka pasur një fluks të madh të bashkatdhetarëve për të ardhur në Kosovë, ndoshta edhe për shkak të festës së Bajramit. Kësisoj kanë ndodhur edhe pritjet më të gjata”, është shprehur Makolli.
Ai ka thënë se kanë kërkuar nëpërmjet përfaqësuesve ndërkombëtarë që edhe pala serbe t’i rrisë kapacitetet kufitare, që mos të ketë pritje të gjatë të bashkatdhetarëve në kufij. “Ne kemi biseduar edhe me zyrtarët e EULEX-it në pikën kufitare, të cilët kanë adresuar kërkesat tona të pala serbe, mirëpo ata në shumicën e rasteve gjejnë arsye të ndryshme, duke përmendur fluksin e madh të njerëzve në këto ditë apo rënien e sistemit. Për fat të keq, nganjëherë po ka edhe veprime të palës serbe nëpërmjet të cilave po shkaktohen pritje të gjata, sidomos tash kur po ka fluks më të madh të njerëzve”, ka deklaruar Makolli.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për “Epokën e re” se ky institucion i ka shtuar kapacitetet dhe po bën të pamundurën për të mos lejuar pritje të atyre që dëshiron të hyjnë në Kosovë. “Me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe të shkurtimit të pritjeve të tyre, ne me kohë i kemi ndërmarrë masat tona, duke shtuar numrin e zyrtarëve policorë në pikëkalime, konkretisht në pikëkalimin kufitar në Merdar. Përveç kësaj, aplikojmë edhe procedurat e lehtësimit apo të kontrollit me të shpejtë në mënyrë që t’i shmangim pritjet për aq sa i takon pjesës së zyrtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Kelani.
Ai ka deklaruar se në pjesën e Kosovës nuk ka fare pritje. “Sa i përket pjesës së Policë së Kosovës ne i kemi ngritur kapacitet tona dhe tek ne nuk ka pritje fare, por kufiri është i asaj pozite që duket se ka pritje edhe nga ana jonë. Po përsëris se nga ana jonë nuk ka pritje”, ka theksuar ai. Kelani ka mohuar se pritjet e gjata të bashkatdhetarëve po ndodhin për shkak të mospunës së Policisë së Kosovës. “Pritjet absolutisht nuk kanë të bëjnë me mospunën e Policisë së Kosovës. Ne jemi duke punuar me kapacitete të shtuara edhe të shtimit të zyrtarëve policorë, por edhe të kabinave kontrolluese, në mënyrë që t’u mundësojmë qarkullim sa më të shpejtë. Mirëpo, vetë fakti i fluksit të madh të automjeteve e krijon një kolonë, por edhe procedurat e kontrollit të dokumentacionit që aplikon pala serbe”, ka thënë Kelani, duke i ftuar bashkatdhetarët t’i shfrytëzojnë edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, atë të Dheut të Bardhë dhe atë të Mutivodës.
Muhamet KOCI
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment