Wednesday, July 30, 2014

Vushtrri: Shiu dhe era dëmtojnë disa shtëpi, lëndohen dy persona

Sot rreth orës 19:00 qyteti i Vushtrrisë është përfshirë nga një shi i madh, i cili ishte i shoqëruar edhe me erëra të forta. Nga shiu dhe erërat e fuqishme, janë dëmtuar pullazhet e katër shtëpive në fshatin Studime, ku njërës shtëpi i ka rënë pullazi në tokë. Po ashtu janë lënduar edhe persona, njëri në fshatin Karaqë dhe tjetri në rrugën “Shote Galica” në Vushtrri, raporton Veriu.info. Drejtori i Drejtorisë për Emergjenca në Komunën e Vushtrrisë, Nezir Klinaku, në një prononcim për portalin Veriu.info ka bërë të ditur se pas këtyre reshjeve të mëdha të shiut dhe erërave të forta, ekipet komunale të emergjencave kanë dalë në terren. “Ekipet tona vepruese kanë dalë në terren për të parë se si është gjendja, si dhe për t’iu dhënë ndihmë eventuale personave që mund të kenë nevojë. Deri më tash kemi evidentuar dëmtime të mëdha të katër pullazeve të shtëpive në Studime, ku njëri pullazh është rrëzuar komplet në tokë”, ka thënë drejtori Klinaku. Ai ka bërë të ditur se edhe në fshatin Gojbulë, Miraq dhe Karaqë janë dëmtuar disa shtëpi .

No comments:

Post a Comment